The Christus statueThe Church of Jesus Christ of Latter-day Saints Search | Feedback | Site Map | Help | Country Sites |
Home Broadcast Archives CES Fireside

Besimi dhe Veprat në një Botë Laike

Peshkopi Kith B. MekMallin
Këshilltar i Dytë në Këshillin Kryesues të Peshkopëve
Mbrëmje rreth Vatrës për të Rinjtë e Rritur • 5 Nëntor 2006 • Universiteti “Brigam Jang”

Peshkopi Kith B. MekMallinTë dashur vëllezërit dhe motrat e mia, ç’pamje mbresëlënëse që lini! Ju vini nga fusha të ndryshme të jetës dhe nga pjesë të ndryshme të vendit. Dhe të mendosh që këtë mbrëmje jemi mbledhur nga e gjithë bota! Duke filluar që tani deri në ritransmetimin e kësaj mbledhjeje, të rinjtë e rritur në mbarë Kishën do të mblidhen së bashku dhe do të marrin pjesë në këtë ngjarje të tillë. Është vërtet e mrekullueshme!

Diçka e lavdishme ndodhi në konferencën e përgjithshme muajin e kaluar. Nuk ishte e dukshme për pjesën më të madhe të botës, por për ata që e njohin dhe e duan të vërtetën, ishte po aq e paharrueshme sa oshëtima e 10 000 bubullimave.

Mendoni sërish për seancën përfundimtare. Nga Kori i Tabernakullit erdhën vargjet e njohura:

Të Falemi, Zot, Për Profetin,
që rrugën ne sot na tregon,
të falemi Zot, për ungjillin ,
që mendjen ne fort na ndriçon
1.

Befas, burra e gra, djem e vajza, të mbledhur në Qendrën e Konferencës u ngritën me nderim e mirënjohje për bekimet e shprehura në këtë himn. Qëndruam duke pranuar me mirënjohje se ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur, se Ati, Perëndia, dhe Biri i Tij i Dashur kanë folur nga qiejt, se Jozef Smithi ishte një profet dhe se Presidenti Gordon B. Hinkli është profeti i Zotit në tokë sot.

Ishte një përvojë që të prekte shpirtërisht. Ishte një çast kur qytetarë të mbretërisë së Perëndisë, nën ndikimin e Frymës së Shenjtë, mbrojtën besimin e tyre!

Atë ditë, pak më parë, Presidenti Hinkli foli me butësi dhe mirënjohje për vitet e tij të kaluara në moshë dhe shëndetin që e shoqëronte. Gjithmonë si një shembull besnikërie, ai ia zotoi sërish jetën e tij qëllimeve të Zotit. Ai tha:

“Zoti më ka lejuar të jetoj dhe nuk e di për sa kohë. Por pavarësisht nga koha, unë do vazhdoj të bëj maksimumin në detyrën që kam.

. . . Ne do të vazhdojmë për aq kohë sa Zoti dëshiron. . . . Dhe kur të jetë koha për një pasues, kalimi do të jetë i qetë dhe sipas vullnetit të Atij të cilit kjo Kishë i përket. Dhe kështu, ne shkojmë përpara me besim—dhe besimi është tema për të cilën dëshiroj të flas këtë mëngjes.”2

Mesazhi i tij ishte i frymëzuar dhe për kohën tonë. Na kujtoi në mënyrë shpirtërore se cili është vërtet qëllimi i jetës dhe se si fëmijët e Atit Qiellor mund të mposhtin çdo pengesë. Erdhi në një botë të zhytur në laicizëm, mosbesim dhe mëkat.

Laicizmi

Arsimimi për lëndët jofetare ndihmon shumë për përmirësimin e botës sonë. Mësimi jofetar i nivelit më të lartë zhvillohet në një atmosferë virtyti, përgjegjësie morale, të vërtetash shpirtërore dhe besimi.

Shumë reklamë u bëhet sot shoqërive laike. Njerëzit dhe kombet krenohen se janë laikë, duke u përqendruar në “gjërat tokësore, ose [në] gjërat që nuk konsiderohen fetare, shpirtërore, apo të shenjta”3.

Shumë njerëz sot e shohin laicizmin si thelbësor për një qeveri të ekuilibruar, të drejtë dhe me rregull. Si rrjedhojë, shprehja fetare nuk nxitet në forumet publike, të drejtat qytetare varen nga gjykatat dhe proceset ligjore, burrat dhe gratë kërkojnë menjëherë zgjidhje dhe kompesohen nëpërmjet mënyrave ligjore. Deri në ekstrem, laicizmi i shoqërisë nuk e shquan dot konceptin e jetës së përjetshme, e vendos çdo gjë në kontekstin e një bote natyrore dhe si rrjedhim, priret drejt veprave pa besim.

Kërkohet vigjilencë dhe përpjekje e madhe nga gratë dhe burrat e besimit që jetojnë në një botë laike. Kur ngopet me gjërat e botës, natyra njerëzore në fillim ‘duron, pastaj ndien keqardhje dhe në fund përqafon’4. Laicizmi po i ngop njerëzit sot me gjëra të tilla.

Pa kontrollin e besimit tek Krishti si Shpëtimtari i njerëzimit, kjo botë laike dhe natyrore krijon burra dhe gra “krenarë, të fiksuar pas vetes, tejet konkurues, kundërshtues, jashtëzakonisht të pavarur, të udhëhequr nga dëshirat, orekset [dhe] kërkesat njerëzore. . . . Në përgjithësi, njeriu i natyrshëm është një krijesë e pashëlbuar, një qenie që ecën . . . pas dritës së zjarrit tij. . . . [shih 2 Nefi 7:10–11]. Një njeri i tillë ndryshon sipas natyrës së gjërave përreth tij, duke i marrë informacionet dhe sjelljen e tij nga një botë e rënë në mëkat.“5 E shprehur shkurtimisht: “Njerëzit që janë në një gjendje të natyrshme . . . janë pa Perëndi në botë” (Alma 41:11).

Për shkak se laicizmi nuk njeh perspektivën e përjetshme, me kalimin e kohës mund të çojë në mosbesim. Sipas fjalëve të Volfhart Panenbergut, një profesori teologjie në Universitetin e Mynihut:

“Një klimë publike laike vë në rrezik besimin e të krishterëve tek e vërteta e asaj që besojnë. . . .

Në një ambjent laik, madje edhe një njohuri e thjeshtë e Krishtërimit . . . zbehet. Nuk është më çështje e refuzimit të mësimeve të krishtera; shumë njerëz nuk kanë as idenë më të vogël se çfarë përbëjnë ato mësime. . . . Sa më e përhapur të jetë injoranca kundrejt krishtërimit, aq më i madh është paragjykimi ndaj tij.

. . . Vështirësia rritet nga varësia kulturore që krijohet për vetë idenë e së vërtetës. . . . Sipas këndvështrimit të shumë vetëve, . . . doktrinat e krishtera janë thjesht opinione që mund të pohohen ose jo, në varësi të preferencave individuale, ose duke parë nëse kanë lidhje me nevojat personale.

. . . Rendi shoqëror tejet laik bën të ngrihet ndjenja e kotësisë”6.

Besimi tek Krishti zëvendësohet me besimin tek njeriu. Në diskutimet publike dhe mendimet vetjake, pyetjet se nga erdhëm, ku shkojmë kur jeta mbaron dhe çfarë e qeveris përfundimisht jetën në tokë, jo vetëm që nuk marrin përgjigje, po shihen si të pavend. Kjo gjendje mosbesimi po shndërrohet në një katastrofë me përmasa kolosale.

Ati Qiellor e dinte se kjo do të ndodhte. Rivendosja e ungjillit rindezi besimin tek Jezu Krishti si Krijues, Shpëtimtar dhe Shëlbues. Solli sërish një kuptim të qartë për qëllimet e jetës. Në vitin 1831, fëmijëve të Atit Qiellor iu tha:

“Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime;

. . . Që besimi . . . të mund të rritet në tokë” (DeB 1:17, 21).

Para se themelet e kësaj bote të vendoseshin, para se trupat e universit të zinin vendin që kanë, burrat dhe gratë jetonin, lëviznin dhe kishin qenien e tyre (shih Veprat e Apostujve 17:28). Mendimi laik se jeta nuk është më tepër se biologji mohon të vërtetën themelore, vetëdijen e ndërgjegjshme që qëndron në skutat e çdo shpirti të gjallë se “njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë” (DeB 93:29; theksimi i shtuar). Ky fakt është i pandryshueshëm dhe i padiskutueshëm.

Kopshti-parajsë i Edenit, me prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, erdhi më vonë, në mënyrë që nëpërmjet përvojave të jetës së vdekshme dhe Shëlbimit të Krishtit, njeriu të mund të bëhej i plotë, i zhvilluar krejtësisht dhe një qenie e përsosur. Epokat e patriarkëve, ardhja hyjnore e Shpëtimtarit tonë, Shlyerja e Tij e pakrahasueshme në meridianin e kohës dhe “[koha] e ripërtëritjes të të gjitha gjërave” (Veprat e Apostujve 3:21), e cila filloi më 1820, vendosën bazat me anë të së cilave burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat mund të qeverisnin sërish jetën dhe çka i rrethon me “besim në Zotin Jezu Krisht” (Nenet e Besimit 1:4).

Miqtë e mi të dashur të rinj, ju qëndroni në bashkërrjedhjen e këtyre ngjarjeve të botës. “Ç’ka kaluar është fillimi dhe ç’ka ndodhur do vazhdojë të ndodhë.”7 Ajo që mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë është që besimi juaj dhe veprat që e shoqërojnë atë të frenojnë përparimin e mosbesimit. Kjo është pjesa juaj në jetë. Kjo është detyra juaj e shenjtë.

Standardet e Besimit

Mësuesi ynë tha: “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, ... asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju” (Mateu 17:20). Presidenti Hinkli na kujtoi:

“Pasi gjithçka të thuhet dhe të bëhet, pasuria e vërtetë e Kishës është besimi i njerëzve të saj”8.

“Gjatë vazhdimësisë së punës për këtë kauzë të madhe, besimi në rritje është ai për të cilën kemi më shumë nevojë. Pa të puna do të reshtte së përparuari. Me të, askush s’mund ta ndalojë përparimin e saj”9.

Një besim i tillë është më tepër se qëndrimi, besimi apo dëshmia që dikush ndjen ose di. Besimi i vërtetë, besimi i shprehur nga profeti ynë i dashur, sjell drejtësi në këtë jetë dhe shpëtim në jetën që vjen. Përqendrohet tek Perëndia i vërtetë dhe i gjallë dhe tek Jezu Krishti, të cilin Ai dërgoi (shih Gjoni 17:3). Gjendet tek e vërteta e paraprirë nga njohuria dhe e bërë e përsosur prej veprave. Bën që të vdekshmit të kuptojnë dhe të sillen ashtu siç duhet të bëjnë fëmijët e Atit Qiellor. Ky besim “është parimi i parë dhe i madh qeverisës i cili [na bën të mundur të kemi] fuqi, pushtet dhe autoritet mbi”10 mënyrën si mendojmë, veprojmë dhe ç’lloj burrash dhe grash jemi.

Apostulli Jakob na dha formulën për një besim të tillë:

“Ç’dobi ka . . . nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? . . .

Po dikush do të thotë: ‘Ti ke besimin, dhe unë kam veprat’; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia. . . .

. . . Besimi, në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.

Ti e sheh se veprat [vepronin] bashkë me . . . [besimin] dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos?” (Përkthimi i Jozef Smithit, Jakobi 2:14–15, 17, 21).

Dëgjojmë shumë të flitet për standarde. Një standard është një “masë përsosmërie [apo] arritjeje . . . me anë të së cilës maten ose gjykohen gjëra të ngjashme”11.

Ka katër standarde që mund të ndihmojnë secilin prej nesh të dimë nëse besimi ynë vetjak tek Krishti “përsoset” nga veprat tona. Këto standarde janë: (1) zgjedhjet që bëjmë, (2) përkushtimi që shfaqim, (3) bindja që ushtrojmë dhe (4) shërbimi që bëjmë. Më lejoni ta shpjegoj.

Zgjedhjet që Bëjmë

Së pari, standardi i zgjedhjes. Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme “[besojnë] në qenien të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës, të vyrtytshëm. . . . Në qoftë se ka diçka të vyrtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra” (Nenet e Besimit 13; shkronjat kursive të shtuara).

Imagjinoni një eldër të ri të cilin do ta quajmë Bill. E mësoi këtë në Fillore. E besoi atëherë; ai beson edhe tani. Megjithatë, për një periudhë kohe, Billi u mposht nga pornografia. Tundimet e saj i janë dukur të fuqishme dhe joshëse. Pas çdo përplasjeje me këtë gjë të ulët, Billi është ndier i neveritur, i turpëruar dhe pa vlerë brenda vetes.

Billi mori pjesë në konferencën e përgjithshme disa javë më parë. Në seancën e priftërisë, ai dëgjoi Presidentin Hinkli që tha:

“Sonte, në këtë grumbullim të madh, nuk ka asnjë burrë ose djalë i cili nuk mund të përmirësojë jetën e tij. Dhe kjo është e nevojshme të ndodhë. Në fund të fundit, ne mbajmë priftërinë e Perëndisë. . . .

Bashkë me priftërinë vjen detyrimi i madh që të jemi të denjë për të. Ne nuk mund të lejojmë mendime të papastra. Ne nuk mund të konsumojmë pornografi. Ne nuk duhet kurrë të jemi fajtorë për çfarëdolloj abuzimi. Ne duhet t’i mundim gjëra të tilla. ‘Ngrihuni, o burra të Perëndisë’ dhe hidhini prapa këto gjëra dhe Zoti do të jetë udhëheqja dhe mbështetja juaj”12.

Billi vendosi: “Ka ardhur koha që unë të mbroj besimin tim!”

Shkoi tek vendi sekret, mori fotografitë e ndyra, filmat dhe literaturën vulgare dhe i shkatërroi. E pastroi bibliotekën e tij nga muzika e rëndë dhe e zhurmshme dhe nga këngët e ulta. Fshiu nga kompjuteri të gjitha të dhënat që e lidhnin me faqet pornografike, instaloi një filtër mbrojtës dhe e vendosi kompjuterin në një vend më të dukshëm, që ta mbronte veten nga përsëritja e mëkatit të tij.

Billi i njohu shkeljet e tij para Perëndisë. Ai lutet shumë për fuqinë për t’u penduar, për ta zhdukur këtë të keqe nga jeta e tij. Kërkoi ndihmë nga peshkopi dhe të afërmit. Në fund, Billi ndjeu sigurinë e paqtë: “Biri im, je në rrugë të drejtë”. Besimi i tij, për shkak të veprave, po vërtetohet dhe forcohet.

Shumë mbetet për t’u bërë. Do të ketë agjërim, lutje, studim shkrimesh dhe shumë lotë. Një peshkop i mirë do të sigurojë ndihmën e nevojshme. Besnikëria, lutjet e prindërve dhe të të afërmve do të sjellin mbështetjen e duhur. Megjithatë, standardi tregon: Billi po fillon të ushtrojë besim drejt pendimit—ai ka bërë zgjedhjen e drejtë!

Përkushtimi që Shfaqim

Së dyti, standardi i përkushtimit. Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme “[besojnë] gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe [besojnë] se Ai do të zbulojë në të ardhmen shumë gjëra të mëdha e të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë.

Ne besojmë në mbledhjen aktuale të Izraelit dhe në Rivendosjen e Dhjetë Fiseve; që Sioni (Jeruzalemi i Ri), do të ndërtohet në kontinentin amerikan” (Nenet e Besimit 1:9–10) dhe se burrat dhe gratë thirren “nga Perëndia, me anë të profecisë” dhe autoritetit hyjnor për të kryer këto gjëra (Nenet e Besimit 1:5).

Përkushtimi i vërtetë lidhet me shkaqet hyjnore që e kanë zanafillën para themeleve të kësaj bote. Paraardhësit e drejtë u përfshinë në to dhe dhanë jetën e tyre për përmbushjen e qëllimeve të Atit Qiellor. Neve na është besuar puna për të çuar përpara dhe për të ndërtuar mbi veprat e tyre të shenjta.

Tani do t’ju tregoj nje histori, të cilën disa prej jush e njohin:

Në vitin 1856, Robert dhe An Parker, me katër fëmijët e tyre, erdhën me anije nga Anglia për t’u bashkuar me shenjtorët në Juta. Një profet kishte folur dhe detyra e tyre ishte të mblidheshin në Bazenin e Madh e të ndihmonin në ndërtimin e Sionit. Ashtu si anëtarët e kompanisë së karrocave të dorës “MekArtur”, çdo njeri në familjen e tyre kreu një pjesë të punës. Babai dhe mamaja tërhiqnin karrocën e rëndë, Maksi (12 vjeçar) shtynte dhe Marta (20 vjeçe) kujdesej për Arturin e vogël (6 vjeçar). Foshnjën Ada (1 vjeç), e cila çapitej, e mbajtën duke e vendosur në karrocë.

Diku në Nebraska, Arturi i vogël u ul për të pushuar dhe ra në gjumë. Një furtunë e papritur filloi. Kompania nxitoi dhe ngriti një kamp. Pikërisht atëherë ata zbuluan se Arturi nuk ishte me fëmijët e tjerë.

Ditët e kërkimit shkuan kot. Kompania duhet të vazhdonte përpara. Kjo ishte koha kur Roberti dhe An Parker duhet të vepronin sipas besimit të tyre. Arçer Uolters përshkroi në ditarin e tij në datën 2 korrik 1856: “Djali i vogël i vëllait Parker . . . humbi dhe babai u kthye mbrapa për ta kërkuar”.

Kur Roberti u nis, Ana kapi me gjilpëra pas shpatullave të tij një shall të kuq me shkëlqim dhe i tha: “Nëse e gjen të vdekur, mbështille me shall për ta varrosur. Nëse e gjen të gjallë, mund ta përdorësh këtë si flamur për të na sinjalizuar.” Ajo, me fëmijët e tjerë, morën karrocën e dorës dhe vazhduan me mundim përpara me kompaninë.

Roberti rishkeli në ato kilometra të shtegut pyjor, duke kërkuar dhe duke u lutur për birin e tyre të vogël e të pashpresë. Më në fund arriti në një postë dhe stacion tregtar ku mori vesh se për fëmijën e tij ishte kujdesur një druvar dhe gruaja e tij. Arturi i vogël kishte qenë sëmurë nga i ftohti dhe frika, [por] Perëndia kishte dëgjuar lutjet e prindërve të tij të dashur.

Çdo natë gjatë shtegut, Ana dhe fëmijët e saj qëndronin vigjilentë. Natën e tretë, ndërsa rrezet e diellit perëndues ranë mbi ndriçimin e një shalli të kuq e të shndritshëm, kjo nënë e guximshme u zhyt duke vajtuar në një grumbull rëre. Tejet e lodhur, Ana fjeti për herë të parë pas gjashtë ditësh dhe netësh të gjata13. Perëndia vërtet ishte i mirë dhe i mëshirshëm, veprat e tyre kishin shpërblyer përkushtimin dhe e kishin shenjtëruar besimin e tyre dhe në harenë e zemrës së tyre shenjtorët kënduan “Gjithçka mir’ do të jet’!14.

Foshnja Ada, gjyshja ime, u bë grua dhe u martua me gjyshin tim, Brigam Jang MekMallin. Ja cili është morali. Ajo nuk lejoi asnjëherë që fëmijët e saj të harronin se ajo dhe familja e saj kaluan përmes rrafshnaltave me kompaninë e karrocave të dorës të Daniel D. MekArtur. Historia e shallit të kuq u bë historia jonë—trashëgimia e besimit të tyre u bë jona gjithashtu. Dhe kështu ne “vazhdojmë përpara”15 dhe pengesat e mëdha veniten ashtu si vesa para diellit të mëngjesit.

Për këta shenjtorë të hershëm, standardi tregon: Veprat e tyre ishin shenja besimi, përkushtimi i tyre një standard pas të cilit duhet të jetojnë pasardhësit e tyre.

Bindja që Ushtrojmë

Së treti, standardi i bindjes. Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme “[besojnë] se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit” (Nenet e Besimit 1:3; shkronjat kursive të shtuara).

Këtu imagjinojmë një çift të ri, përfaqësues të atyre që jetojnë në këtë botë laike. Dejvidi dhe Mishela e njihnin këtë nen besimi shumë kohë para se të njihnin njëri-tjetrin. Megjithatë, ata ndeshen me shqetësime me të cilat përballen shumë nga ata që marrin pjesë në këtë transmetim satelitor. Mendoni, Dejvidi dhe Mishela janë rreth njëzet e pesë vjeç. Kanë një farë kohe që e njohin njëri-tjetrin, “dalin” së bashku dhe janë të dashuruar. Megjithatë, janë të pavendosur për martesën dhe familjen. A duhet ta shtyjnë martesën derisa të mbarojnë shkollën, derisa të kenë më shumë para, derisa të realizojnë disa prej ambicieve të tyre personale?

Ata mendojnë gjithashtu edhe për prirjen në rritje të divorceve, luftërat dhe turbullimet përreth botës dhe për mbipopullimin. A do të mbijetojë martesa e tyre? A duhet të lindin fëmijë në këtë botë?

Oh, Dejvid dhe Mishela, ushtroni besim! Kujtoni: “Martesa midis burrit dhe gruas shugurohet nga Perëndia”16. “Atë që Perëndia e ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë” (Mateu 19:6; shih gjithashtu DeB 132:19–20). “Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti” (Psalmi 127:3). “Toka është plot . . . ka mjaft edhe për të kursyer” (DeB 104:17).

Veproni sipas asaj që dini se është e vërtetë dhe veprat tuaja të mira do të përsosin besimin tuaj. Jeta juaj do të jetë me bollëk dhe e mrekullueshme. Ndiqni shembullin e mirë të prindërve tuaj. Ata s’kishin para të martoheshin, por u martuan. Edhe ata gjithashtu shqetësoheshin për luftërat dhe turbullimet, por ushtruan besim dhe ju lindën ju! Kërkesa për martesë dhe familje nuk e pengoi arsimimin e tyre; ata e pasuruan atë. Përsa i përket ambicieve personale, ato janë ndërthurur plotësisht dhe në mënyrë të lumtur në mirëqenien e njëri-tjetrit, tuajën, të vëllezërve dhe motrave tuaja dhe nipërve e mbesave.

Jeta nuk ishte e lehtë për prindërit tuaj. Duhet të shtrëngonin dorën dhe të kursenin, t’ia dilnin me atë që kishin. Edhe ata u përballën gjithashtu me pyetje dhe rrethana që s’mund t’u jepnin përgjigje, por e dinin se shtegu i paracaktuar nga Perëndia i Plotfuqishëm i lejoi të vazhdonin përpara. Dhe ju jeni shumë më të “pasur”, për shkak të besimit të kësaj.

Nga historitë që ju kanë treguar me qindra herë, e dini se gjithçka për ta ka qenë e vështirë, “në çdo rast”. Por veprat e tyre ia kanë shenjtëruar besimin.

Ata janë më të moshuar, kjo është e sigurt. Hapi i tyre nuk është i shpejtë, sjellja e tyre jo aq energjike, pamja e tyre nuk është ajo që reklamuesit normalisht kërkojnë. Por dashuria e tyre për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin pasqyron nderim dhe adhurim të thellë. Shenjat e jetës u kanë dhënë urtësi, durim dhe mirënjohje. Në mënyra të vogla, por të rëndësishme, ata janë bërë “siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen” (Hebrenjve 11:1)—gjëra që s’mund t’i shihnin më parë në jetë. Por ata u bindën. Duke ushtruar besimin e tyre, ata u vulosën në tempull, u bekuan me fëmijë dhe tani njohin burimin e vërtetë të lumturisë. Standardi tregon: Bindja thërret bekimet e Qiellit—ndodhi kështu për prindërit tuaj dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe për ju.

Shërbimi që Bëjmë

Së katërti, standardi i shërbimit. Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme “[besojnë] në Perëndinë, Atin e Përjetshëm dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin dhe në Frymën e Shenjtë. . . .

Ne besojmë . . . që Krishti do të mbretërojë personalisht mbi tokë; dhe që toka do të ripërtërihet dhe do të marrë lavdinë e saj të parajsës” (Nenet e Besimit 1:1, 10).

Ne dimë më shumë për Kreun-Perëndi nga ç’kanë menduar të gjithë mendjet njerëzore ndonjëherë—dhe ajo që dimë është e vërtetë. Për më tepër, dimë qëllimet e Hyjnisë për këtë tokë dhe për të gjitha krijesat e saj. Për shkak të asaj që dimë dhe për shkak se Zoti ka vendosur mbi shpatullat tona detyrën e shenjtë për ta bërë atë të ndodhë, ne nuk duhet të jemi të pakujdesshëm ndaj anëtarësisë sonë në Kishë.

Disa tërhiqen drejt të qenit më pak të përkushtuar nga frika se mos duken shumë fetarë. E shohin “Kishën si një institucion, por jo si mbretëri”17. “Oh, rini me trashëgimi fisnike”18, bëjeni punën e Kishës dhe mbretërinë e Perëndisë qendrën e jetës suaj. Kur ju thërrasin për të shërbyer, thoni “Po” dhe jepni maksimumin. Dëgjojeni këtë kërkesë nga Zoti: “Si rrjedhim, mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e Tij, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Përkthimi i Jozef Smithit, Mateu 6:38).

Vetëm katër ditë pas sot, më 9 nëntor, do të bëhen 150 vjet që kur pionierët e kompanisë së karrocave të dorës “Uilli” u përpoqën në luginën e Solt Lejkut. Kishin kaluar shumë vuajtje dhe vdekje. Stuhitë dhe gjendja e tyre e përkeqësuar kishin marrë shumë vetë—shpëtuesit kishin shpëtuar shumë më tepër.

Levi Sevixh ishte njëri prej atyre që kishin shkuar atë ditë. Nga historia ruhen veprat e tij besnike dhe të vendosura për të shpëtuar shenjtorët dhe për t’i sjellë shëndoshë e mirë në luginë. Por shërbimi i tij fisnik nuk filloi në rrafshinat me dëborë të Uajoming. Ky ishte një kapitull tjetër, ndoshta kurorëzuesi, në një jetë të shenjtëruar shërbimi.

Levi u pagëzua në qershor të vitit 1846, në moshën 26 vjeçare. Duke iu përgjigjur thirrjes së profetit për të lëvizur drejt perëndimit, ai shkruajti: “u përgatitëm aq mirë sa mundëm për një udhëtim të gjatë drejt një vendi të çuditshëm dhe krejt të panjohur për ne. . . . I thamë lamtumirë vendlindjes sonë . . . dhe u drejtuam nga perëndimi, pa e ditur destinacionin, vetëm duke shpresuar se do të qëndronim diku në shkretëtirat perëndimore të Maleve Shkëmbore”19.

Më 16 korrik 1846, ai, së bashku me burra të tjera trima, iu përgjigj sërish nxitjes së Profetit, i renditur në batalionin mormon dhe marshoi afërsisht 3200 km nga Kansil Blafs, Ajoua, deri në San Diego, Kaliforni, dhe më pas në Los Anxheles. Atje i liruan nga shërbimi qeveritar. Edhe pse nuk dinin asgjë për rrethanat e shtëpive dhe familjeve të tyre, filluan udhëtimin drejt luginës së Liqenit të Madh e të Kripur. Rruga që Levi Sevixh kreu ishte 2100 km të tjera, mbi terren të thepisur dhe të panjohur, por më në fund arriti në luginën e Solt Lejkut.

Këtu Levi u kthye në pionier, luftoi bulkthat, u martua, pati një djalë dhe varrosi gruan e tij disa muaj pas lindjes së fëmijës. Dhjetë muaj pas vdekjes së bashkëshortes, në konferencën e tetorit të vitit 1852, ai dhe disa vëllezër të tjerë besnikë u thirrën nga profeti për të hapur një mision ungjillor në Siam (Tailanda e sotme).

Këtë herë ata udhëtuan si skuadër dhe me qerre, sërish për në Kaliforninë bregdetare dhe oqeanin Paqësor. Me kalimin e kohës, lundruan nga San Francisko për në Kalkuta për misionin e tyre për në Siam. Shkrimi në ditar i Levit për 29 janarin e 1853-it na hedh dritë mbi zemrën e atyre misionarëve të hershëm. Ai shkroi:

“Anija jonë madhështore, e shtyrë nga një puhizë e lehtë, e drejtoi kursin përmes detit të thellë dhe të zhurmshëm drejt vendeve tona të mbërritjes; duke lënë pas tokën tonë aq të dashur ku lindëm. . . . Secili kërkonte vendin e tij për meditim dhe në rehatinë e shtëpisë së tij pasqyrohej dhembshuria e gruas së tij të dashur dhe e fëmijëve apo miqve. . . . Por tashmë ai ishte thirrur ta ngrinte shtëpinë e tij në pjesë të largëta të botës dhe përse? Për hir të grumbullimit të arit dhe argjendit, për të siguruar për vete ndere apo për të treguar shkëlqimin e kësaj bote? Jo, vini re, jo! Por sipas bindjes ndaj urdhërimeve të Zotit për të çuar mesazhin e së vërtetës dhe . . . shpëtim për kombet supersticioze e të zhytura në errësirë. Menjëherë më pas, secili tërhiqej në shtratin e tij për pushim dhe çlodhje. Por, pavarësisht nëse ishte në gjumë apo zgjuar, mendja e tij vazhdonte të shëtiste në realitetet e së kaluarës dhe në parashikimet e së ardhmes”20.

Pas misionit të tij, Levi lundroi për në shtëpi duke i rënë nga Bostoni, Masaçusets, arriti në vendin e tij të lindjes në Grinfild, Ohajo dhe shkroi pas ardhjes së tij aty: “I kam rënë përqark globit”21. Ai u bashkua me kompaninë e karrocave të dorës “ Uilli” në qytetin Ajoua, shteti Ajoua, e cila shënoi fillimin e një sage me rëndësi të përjetshme për të, familjen e tij dhe tërë Kishën. Veprat e tij në këtë maratonë kurorëzuan një jetë me sakrificë dhe shërbim. Për këta pionierë, standardi tregon: Besimi dhe veprat e tyre ishin një fener në një botë mosbesuese, shërbimi i tyre një shembull që secili prej nesh duhet ta ndjekë.

Prekemi nga fjalët e klerikut, Frederik W. Faber:

Besimi i etërve tanë ende jeton,
pavarësisht nga burgu, zjarri e shpata,
Oh, si rreh me forcë e gëzim zemra jonë,
Sa herë atë fjalë të lavdishme dëgjojmë.

Besimi i etërve tanë, ne do të përpiqemi,
t’i sjellim gjithë kombet tek ty,
dhe nëpërmjet të vërtetës që nga Perëndia vjen,
atëherë plotësisht i lirë do të jetë njerëzimi.

Besimi i etërve tanë, dashuri do t’i dhurojmë,
si mikut dhe armikut në çdo shqetësim tonin,
dhe për ty do predikojmë ashtu siç dashuria tregon,
me fjalët e ëmbla dhe jetën të virtytshme që jetojmë.

Besimi i etërve tanë, i shenjti besim,
Ty do të të qëndrojmë deri në vdekje besnik!”
22

Ju lë dëshminë time, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura—Perëndia është në qiell. Emri i Tij ështe Elohim dhe Ai i njeh të gjithë fëmijët e Tij, pavarësisht se nga vijnë apo se ku banojnë. Jezusi, i Shenjti i Izraelit, është Biri i Tij i Dashur, Shëlbuesi i gjithë njerëzimit. Jozef Smithi, një djalë i ri, u thirr nga zëri i Perëndisë dhe i Birit të Tij të shenjtë si profet dhe pas asaj thirrjeje në tokë u rivendos Kisha e vërtetë dhe mbretëria e Perëndisë. Sa të bekuar jemi që i dimë këto gjëra dhe ju, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, qëndroni në bashkimin e historisë. Erdhët nga mbretëritë e lavdisë. Është privilegji juaj i vetëm të qëndroni besnik ndaj besimit, për të shkuar përpara me vepra të mira. Bëni atë që thotë profeti. Brezat e mëparshme presin të bëni këtë, brezat e sotëm shpëtohen dhe brezat e ardhshëm varen prej kësaj dhe Shpirti i Shenjtë do t’ju udhëheqë në çdo hap të udhës suaj.

Në emër të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

1. “Të Falemi, Zot, për Profetin”, Himne dhe këngë të fëmijëve, nr. 36.

2. Në Conference Report, shtator–tetor 2006, 87; ose “Ensign”, nëntor 2006, 82; shkronjat kursive të shtuara.

3. Random House Webster’s Unabridged Dictionary, botimi i dytë (2001), “secular”, 1731.

4. Alexander Pope, “An Essay on Man”, letra e 2-të, vargu 220.

5. “Book of Mormon Reference Companion”, botuar nga Dennis L. Largey, (2003), 582.

6. “How to Think about Secularism”, First Things, qershor–korrik 1996, 27, 30, www.firstthings.com/ftissues/ft9606/articles/pannenberg.html.

7. Boyd K. Packer, mbledhja e trajnimit të Autoriteteve të Përgjithshëm, tetor 2006; shih Uilliam Shekspir, “Stuhia”, ed. W. J. Craig, Oxford Shakespeare (1924), akti 2, skena 1, vargu 261.

8. Në Conference Report, prill 1991, 74; ose “Ensign”, maj 1991, 54.

9. Në Conference Report, shtator–tetor 2006, 90; ose “Ensign”, nëntor 2006, 85.

10. Joseph Smith, përmbledhje, “Lectures on Faith” (1985), 5, 8.

11. Random House Webster’s Unabridged Dictionary, “benchmark”, 193.

12. Në Conference Report, shtator–tetor 2006, 66; ose “Ensign”, nëntor 2006, 60.

13. Shih Boyd K. Packer, “Memorable Stories and Parables by Boyd K. Packer” (1997), 4–6.

14. “Eni Shenjtorë”, Himne dhe këngë të fëmijëve, nr. 2.

15. “Carry On”, Hymns, nr. 255.

16. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, “Liahona”, tetor 2004, 49.

17. Neal A. Maxwell, në Conference Report, tetor 1992, 89; ose “Ensign”, nëntor 1992, 66.

18. “Carry On”, Hymns, nr. 255.

19. Tek Levi Savage Jr. Journal, përmbledhje nga Lynn M. Hilton (1966), xii.

20. Tek Levi Savage Jr. Journal, 5; shkronjat kursive të shtuara.

21. Tek Levi Savage Jr. Journal, 59.

22. “Faith of Our Fathers”, Hymns, nr. 84.

 
© 2008 Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.   Rights and use information.  Privacy policy