Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 29


Seksioni 29

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në prani të gjashtë pleqve, në Fayette, New York, shtator 1830 (History of the Church, 1:111–115). Kjo zbulesë u dha disa ditë përpara konferencës, që filloi më 26 shtator 1830.

1–8, Krishti mbledh të zgjedhurit e tij; 9–11, Ardhja e tij shënon Mijëvjeçarin; 12–13, Të Dymbëdhjetët do të gjykojnë gjithë Izraelin; 14–21, Shenjat, plagët dhe shkatërrimet do të paraprijnë Ardhjen e Dytë; 22–28, Ringjallja e fundit dhe gjykimi përfundimtar pasojnë Mijëvjeçarin; 29–35, Të gjitha gjërat janë shpirtërore për Zotin; 36–39, Djalli dhe ushtritë e tij u zbuan nga qielli për të tunduar njeriun; 40–45, Rënia dhe Shlyerja sjellin shpëtim; 46–50, Fëmijët e vegjël shëlbehen nëpërmjet Shlyerjes.

1 Dëgjoni zërin e Jezu Krishtit, Shëlbuesit tuaj, të Madhit Unë Jam, krahu i mëshirës së të cilit ka shlyer për mëkatet tuaja;

2 I cili do t’i mbledhë njerëzit e tij, ashtu sikurse një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahë, madje të gjithë ata që do të dëgjojnë zërin tim dhe do të përulen para meje e do të më thërrasin në lutje të fuqishme.

3 Vini re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them se në këtë kohë mëkatet tuaja ju janë falur, prandaj ju i pranoni këto gjëra; por mbani mend të mos mëkatoni më, që të këqijat të mos vijnë mbi ju.

4 Në të vërtetë, unë ju them se ju jeni zgjedhur prej botës për të shpallur ungjillin tim me tinguj gëzimi, si me zërin e një borie.

5 Gëzohuni në zemrat tuaja e ngazëllehuni, sepse unë jam në mes tuaj dhe jam avokati juaj me Atin; dhe është vullneti i tij i mirë që t’ju japë mbretërinë.

6 Dhe, siç është shkruar—Çfarëdo që do të kërkoni me besim, duke qenë të bashkuar në lutje sipas urdhërit tim, do ta merrni.

7 Dhe ju jeni thirrur që të bëni të ndodhë mbledhja e të zgjedhurve të mi; sepse të zgjedhurit e mi e dëgjojnë zërin tim dhe nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre;

8 Prandaj vendimi ka dalë nga Ati që ata do të mblidhen në një vend mbi faqen e kësaj toke, për t’i përgatitur zemrat e tyre dhe për t’u përgatitur në gjithçka kundrejt ditës kur vuajtja dhe shkatërrimi të dërgohen mbi të ligjtë.

9 Sepse ora është afër dhe dita tepër pranë, kur toka të piqet; dhe të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë ligësi, do të jenë si kallamishtet; dhe unë do t’i djeg ata, thotë Zoti i Ushtrive, kështu që ligësi të mos ketë mbi tokë;

10 Sepse ora është afër dhe ajo që u tha prej apostujve të mi duhet të përmbushet; pasi siç folën ata, ashtu do të ndodhë;

11 Sepse unë do të shfaqem nga qielli me fuqi e lavdi të madhe, me gjithë ushtritë e tij, dhe do të banoj në drejtësi me njerëzit në tokë për një mijë vjet e të ligjtë nuk do të durojnë dot.

12 Dhe përsëri, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them dhe është përhapur si një vendim përfundimtar, me anë të vullnetit të Atit, se apostujt e mi, të Dymbëdhjetët që ishin me mua në shërbesën time në Jeruzalem, do të qëndrojnë në të djathtën time në ditën e ardhjes sime në një shtyllë zjarri, të veshur me rroba drejtësie, me kurora mbi kokat e tyre, në lavdi, sikurse unë jam, për të gjykuar gjithë shtëpinë e Izraelit, madje të gjithë ata që më kanë dashur dhe i kanë zbatuar urdhërimet e mia dhe askënd tjetër.

13 Sepse një bori do të kumbojë larg e fort, madje si mbi malin Sinai, dhe gjithë toka do të dridhet e ata do të dalin—po, madje të vdekurit që vdiqën në mua, për të marrë një kurorë drejtësie dhe për t’u veshur sikurse unë, për të qenë me mua, që të mund të jemi një.

14 Por, vini re, unë ju them se, përpara se kjo ditë e madhe të vijë, dielli do të errësohet e hëna do të kthehet në gjak dhe yjet do të bien nga qielli, e do të ketë shenja më të mëdha lart në qiell e poshtë në tokë;

15 Dhe do të ketë të qara dhe vajtim mes turmave të njerëzve;

16 Dhe do të ketë stuhi breshëri, e dërguar për të shkatërruar prodhimet e tokës.

17 Dhe do të ndodhë, për shkak të ligësisë së botës, që unë do të marr hak mbi të ligjtë, pasi ata nuk do të pendohen; sepse kupa e zemërimit tim është plot; sepse, vini re, gjaku im nuk do t’i pastrojë ata, nëse nuk më dëgjojnë mua.

18 Si rrjedhim, unë Zoti Perëndi do të dërgoj miza mbi faqen e dheut, të cilat do t’i pushtojnë banorët e tij e do të hanë mishin e tyre dhe do të bëj që larva të dalin mbi ta;

19 Dhe gjuhët e tyre do të heshtin që ata të mos flasin kundër meje; dhe mishi i tyre do t’u bjerë nga kockat dhe sytë nga zgavrat e tyre;

20 Dhe do të ndodhë që bishat e pyllit dhe shpendët e ajrit do t’i hanë tërësisht.

21 Dhe kisha e madhe dhe e neveritshme, që është lavirja e tërë dheut, do të shkatërrohet me një zjarr përvëlues, sipas asaj që është thënë nga goja e Ezekielit, profetit, i cili foli për këto gjëra që nuk kanë ndodhur, por sigurisht duhet të ndodhin, sikurse unë jetoj, sepse neveritë nuk duhet të mbretërojnë.

22 Dhe përsëri, në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them se, kur një mijë vjetët të jenë mbaruar dhe njerëzit përsëri të fillojnë të mohojnë Perëndinë e tyre, atëherë do ta kursej unë tokën, por vetëm për një stinë të shkurtër;

23 Dhe fundi do të vijë, dhe qielli e toka do të konsumohen e shkojnë, dhe do të ketë një qiell të ri e një tokë të re.

24 Sepse gjithë gjërat e vjetra do të shkojnë dhe gjithë gjërat do të bëhen të reja, madje edhe qielli e toka dhe tërë plotësia e tyre, si njerëzit dhe bishat, shpendët e ajrit dhe peshqit e detit;

25 Dhe asnjë flok, as dhe një fije, nuk do të humbet, sepse është puna e duarve të mia.

26 Por, vini re, në të vërtetë unë ju them, përpara se toka të shkojë, Mikaeli, kryeengjëlli im, do t’i bjerë borisë së tij dhe atëherë të gjithë të vdekurit do të zgjohen, pasi varret e tyre do të hapen dhe ata do të dalin—po, madje të gjithë.

27 Dhe të drejtët do të mblidhen në djathtën time për jetën e përjetshme; dhe të ligjtë në të majtën time do të kem turp t’i pretendoj përpara Atit;

28 Prandaj do t’u them atyre—Largohuni prej meje, ju të mallkuar, për në zjarrin e pafundëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.

29 Dhe tani, vini re, unë ju them, kurrë ndonjëherë nuk kam shpallur nga vetë goja ime se ata do të ktheheshin, sepse ku jam unë, ata s’mund të vijnë, pasi ata nuk kanë fuqi.

30 Por kujtoni se të gjitha gjykimet e mia nuk u janë dhënë njerëzve; dhe ashtu siç kanë dalë fjalët nga goja ime, po ashtu do të përmbushen, që i pari do të jetë i fundit dhe i fundit do të jetë i pari në gjithçka që unë kam krijuar me fjalën e fuqisë sime, që është fuqia e Shpirtit tim.

31 Pasi nëpërmjet fuqisë së Shpirtit tim i krijova ato; po, gjithë gjërat, si shpirtërore, dhe tokësore—

32 Së pari shpirtërore, më pas tokësore, që është fillimi i veprës sime; dhe përsëri, fillimisht tokësore dhe më pas shpirtërore, që është fundi i veprës sime—

33 Duke jua thënë që ju në mënyrë të natyrshme të mund të kuptoni; por për mua veprat e mia s’kanë mbarim, as fillim; por ju është dhënë që ju të mund të kuptoni, ngaqë e keni kërkuar atë prej meje dhe ngaqë jeni të një mendjeje.

34 Si rrjedhim, me të vërtetë unë ju them se gjithë gjërat për mua janë shpirtërore dhe asnjëherë nuk ju kam dhënë një ligj që është tokësor; as ndonjë njeriu, as fëmijëve të njerëzve; as Adamit, atit tuaj, të cilin unë e krijova.

35 Vini re, unë i dhashë atij që ai duhej të ishte vetëveprues; dhe i dhashë atij urdhërime, por asnjë urdhërim tokësor nuk i dhashë atij, sepse urdhërimet e mia janë shpirtërore; ato nuk janë as natyrore, as tokësore, as mishtore, as epshore.

36 Dhe ndodhi që Adami, duke u tunduar nga djalli—sepse, vini re, djalli ishte para Adamit, sepse ai ngriti krye kundër meje, duke thënë, Më jep nderin tënd, që është fuqia ime; dhe gjithashtu një e treta e ushtrive të qiellit u larguan prej meje për shkak të zgjedhjes së tyre të lirë;

37 Dhe ata u zbuan, dhe kështu erdhi djalli dhe engjëjt e tij;

38 Dhe, vini re, ka një vend të përgatitur për ta që nga fillimi, vend i cili është ferri.

39 Dhe do të duhej që djalli t’i tundonte fëmijët e njerëzve ose ata nuk mund të ishin vetëveprues; pasi, nëse kurrë nuk do të kishin hidhërim, ata nuk mund të njihnin ëmbëlsinë—

40 Si rrjedhim, ndodhi që djalli e tundoi Adamin dhe ai mori frutin e ndaluar dhe e shkeli urdhërimin, nëpërmjet të cilit ai u bë i nënshtruar ndaj vullnetit të djallit, sepse iu dorëzua tundimit.

41 Si rrjedhim, unë, Zoti Perëndi, bëra që ai të dëbohej nga kopshti i Edenit, nga prania ime, për shkak të shkeljes së tij, nëpërmjet së cilës ai u bë i vdekur shpirtërisht, që është vdekja e parë, madje po ajo vdekje që është vdekja e fundit, që është shpirtërore, e cila do të shpallet mbi të ligjtë, kur unë të them: Largohuni, ju të mallkuar.

42 Por, vini re, unë ju them se unë, Zoti Perëndi, i dhashë Adamit dhe farës së tij që ata nuk duhet të vdisnin prej vdekjes trupore, derisa unë, Zoti Perëndi, të dërgoja engjëjt për t’u shpallur atyre pendim dhe shëlbim, nëpërmjet besimit në emrin e Birit tim të Vetëmlindur.

43 Dhe kështu unë, Zoti Perëndi, i caktova njeriut ditët e provës së tij—që nëpërmjet vdekjes së tij natyrore, ai të mund të ngrihejpavdekësi për te jeta e përjetshme, madje të gjithë ata që do të besonin;

44 Dhe ata që nuk besojnë, në mallkimin e përjetshëm; pasi ata nuk mund të shëlbehen nga rënia e tyre shpirtërore, sepse nuk pendohen;

45 Sepse ata e duan errësirën më shumë se dritën dhe veprat e tyre janë të liga dhe ata e marrin pagesën e tyre prej atij që zgjedhin t’i binden.

46 Por vini re, unë ju them se fëmijët e vegjël shëlbehen që nga krijimi i botës, nëpërmjet të Vetëmlindurit tim;

47 Si rrjedhim, ata nuk mund të mëkatojnë, sepse fuqi nuk i është dhënë Satanit për t’i tunduar fëmijët e vegjël, derisa ata fillojnë të bëhen të përgjegjshëm para meje;

48 Sepse u është dhënë atyre, ashtu siç dëshiroj unë, sipas vetë kënaqësisë sime, që gjëra të mëdha të mund të kërkohen nga dora e etërve të tyre.

49 Dhe, përsëri, unë ju them se kushdo që ka njohuri, a nuk e kam urdhëruar të pendohet?

50 Dhe ai që nuk kupton, më mbetet mua që të bëj sipas asaj që është shkruar. Dhe tani unë nuk ju shpall më në këtë kohë. Amen.